Kryeministri Kovaçevski në Nju Jork do të zhvillojë takime me përfaqësues të lartë të UNICEF-it dhe UNDP-së

Agjenda e punës së Kryeministrit Dimitar Kovaçevski në Nju Jork vazhdon me një sërë takimesh dhe ngjarjesh me rastin e 30 vjetorit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Kombet e Bashkuara. Sot, më 4 maj, janë planifikuar takime me ambasadorin e misionit të përhershëm të Bashkimit Evropian Ollof Skug, me zëvendësdrejtorin ekzekutiv të UNICEF-it, Omar Abdi, si dhe me drejtoreshën rajonale të UNDP-së për Evropë dhe Azinë Qendrore, Ivana Zhivkoviq.

Gjatë orëve të pasdites, sipas orës amerikane, Kryeministri Kovaçevski do të mbajë fjalim në pritjen me rastin e 30 vjetorit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Është paraparë gjithashtu të vizitojë edhe një nga sinagogat më të vjetra, të themeluar nga refugjatë nga Janina dhe Selaniku nga ana e Romaniotëve (hebrenj romakë). Në vitin 1912, hebrenjtë nga Manastiri u vendosën në këtë pjesë të Menhetenit dhe e pranojnë këtë sinagogë si më të afërt të tyre dhe këtu ruajnë toratin që e sollën me vete nga Manastiri në vitin 1912.