Shaqiri: Arsimi inkurajon qëndrimet e intolerancës ndaj korrupsionit që në moshë të hershme

Korrupsioni është një nga çështjet më të vështira me të cilat përballet njerëzimi dhe si çdo çështje tjetër e vështirë, lufta nuk është as e thjeshtë dhe as mbaron ndonjëherë. Çdo arritje e re njerëzore pengohet pikërisht te korrupsioni - dhe në këtë kohë të të gjitha llojeve të përparimeve të inteligjencës artificiale në të gjitha sferat, një nga pyetjet themelore është rreziku i korrupsionit të tij dhe fuqia për të ndikuar negativisht tek  miliona njerëz. Prandaj është shumë e rëndësishme që fenomeni i korrupsionit të fillohet nga baza që formëson fëmijët, ndërsa kjo bazë është arsimimi.

Këtë e theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në tryezën e rrumbullakët me temë “Arsimi kundër korrupsionit–qasjet dhe sfidat” që u mbajt sot me iniciativë të zëvendëskryetares të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sllavica Gërkovska, dhe me mbështetjen e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për luftë kundër drogës dhe krimit dhe Ambasadës gjermane në Shkup.

“Ekziston një konsensus se tek fëmijët që në moshë të hershme duhet të inkurajohen qëndrimet e intolerancës ndaj korrupsionit dhe të zhvillohen aftësi që do t'i ndihmojnë ata t'i rezistojnë me sukses presioneve, kur përballen me praktika korruptive. Ky është drejtimi drejt të cilit ne po e çojmë sistemin arsimor nacional përmes reformës thelbësore e cila është në rrjedh. Temat kundër korrupsionit janë më të përfaqësuara në lëndën e arsimit qytetar, por procesimi i fenomenit të korrupsionit është i mundur edhe në disa lëndë të tjera, njëkohësisht si rezultat i kreativitetit dhe bashkëpunimit ndërmjet  mësimdhënësve”, theksoi Shaqiri.

Ministri theksoi se ekziston  bashkëpunim i madh ndërinstitucional dhe veprim i përbashkët në këtë segment të arsimit, ku janë të përfshirë disa partnerë ndërkombëtarë, me të cilët, siç tha ai, lufta për një shoqëri më pak tolerante ndaj korrupsionit, merr më shumë mundësi për sukses.

“Jam i bindur se hapat e ardhshëm të propozuar në përforcimin e arsimit kundër korrupsionit, që do të rezultojnë nga kjo tryezë e rrumbullakët, do të mund t’i zbatojmë së bashku, sepse është me interes më të lartë për të gjithë ne”, potencoi Shaqiri.