Kovaçevski: Maqedonia e Veriut nuk është më nën regjim hibrid, vazhdojmë me avancimin e lirisë dhe demokracisë

Sipas hulumtimit të “Ekonomist”, për indeksin e demokracisë në botë, Maqedonia e Veriut më nuk është ranguar si vend “nën regjim hibrid” dhe hyri në zonën e demokracive funksionale si “demokraci me mangësi” sipas kësaj matje – kumtoi Kryeministri Dimitar Kovaçevski në faqen e tij në Fejsbuk.

Sipas kritereve në hulumtunim, funksionaliteti i Qeverisë është në rritje të vazhdueshme që nga viti 2017. Funksionaliteti i Qeverisë dhe rritja e vlerësimeve të procesit zgjedhor si kriter, kontribuojnë që rezultati i përgjithshëm i matjes të kthehet në një nivel të lartë të konstatuar për herë të fundit në vitin 2006, kur vendi ishte në rënie të vazhdueshme duke kulmuar me përcaktimin si "nën regjim hibrid" në vitin 2016.

“Jo shumë kohë më parë ne dëshmuam se sa e rrezikshme është kur kthehemi pas në mënyrë demokratike. Për shkak të qeverisjes së mëparshme dhe sundimit autokratik, ne u renditëm si “nën regjim hibrid”. Mbetemi të përkushtuar për promovimin e të drejtave të qytetarëve dhe mediave duke ndërtuar një shoqëri të lirë”, tha Kryeministri Kovaçevski në postimin e tij në rrjetin social.

Indeksi i Demokracisë së Maqedonisë së Veriut, sipas “Ekonomist”, është përmirësuar për pesë vende, që është një sukses i madh në një kohë kur demokracia po bie globalisht. Krahasuar me vitin 2020 kur u rendit e 78-ta nga 167 vende për vitin 2021, vendi ka shënuar rritje prej pesë vende dhe tani renditet në vendin e 73-të.

Sipas kritereve që bëhet rangimi, Maqedonia e Veriut në katër nga pesë kategoritë ka rezultate mbi mesataren prej 6.03. Është më së miri në pjesën e procesit zgjedhor dhe pluralizmit - 7.42, ku ka progres të vazhdueshëm.