Kovaçevski: Fqinjësia e mirë dhe integrimi i përshpejtuar evropian janë prioritet për të dyja vendet, po punojmë për zhvillimin ekonomik dhe social të rajonit

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot në Beograd, në konferencën për shtyp, theksoi përkushtimin dhe vullnetin e fuqishëm politik të Qeverisë sonë për të përforcuar dhe thelluar marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe miqësore me Republikën e Serbisë, në bashkëpunimin politik, ekonomik dhe në të gjitha aspektet tjera.

Kryeministri në Beograd kryeson delegacionin qeveritar në të cilin janë ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikolovski, ministri për Transport dhe Lidhje Bllagoj Boçvarski, si dhe zëvendësministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike Aleksandar Bajdevski.

“Dy qeveritë tona janë të orientuara fuqishëm që të rrisin standardin ekonomik dhe social të qytetarëve dhe t'u mundësojnë komuniteteve të biznesit të punojnë në mënyrë cilësore dhe efikase dhe t'i realizojnë planet e tyre të biznesit brenda një kohe të arsyeshme.

Bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy vendeve sjell zgjidhje cilësore në kriza të ndryshme, që është një nxitje e madhe për ne për të investuar edhe më fort për një Ballkan Perëndimor stabil dhe me prosperitet. Maqedonia e Veriut ka treguar se nuk devijon nga aspiratat e saj për të arritur qëllimet e saj strategjike, si në ruajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore ashtu edhe në përkushtimin e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Si shtet, ne jo vetëm që ndajmë parimet e politikës së jashtme të Unionit, por kemi arritur një shkallë të lartë të harmonizimit me qëndrimet e BE-së, që është një konfirmim se ndajmë edhe politikën e vlerave të Bashkimit Evropian”, theksoi Kryeministri Kovaçevski në konferencën për shtyp në Beograd.

Kovaçevski theksoi se fokus i qeverive duhet të mbetet Bashkimi Evropian, sepse aty përkasin vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Orientimi evropian i dy qeverive është i theksuar, ne jemi të vendosur fuqishëm që të mbrojmë interesat e vendeve tona, jemi të orientuar drejt reformave, të angazhuar në mënyrë aktive në marrëdhëniet ndërkombëtare, të gatshëm vazhdimisht për të kontribuar në bashkëpunimin ndërkombëtar në të gjitha fushat.

Prandaj në vitet e fundit ne kemi qenë plotësisht të përkushtuar për të siguruar katër liritë evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor – marrim pjesë aktive në disa nisma serioze dhe thelbësore rajonale si Procesi i Berlinit, CEFTA, RYCO, RCC dhe të tjera, me të cilat ne ndërmarrim iniciativa të ndryshme për lëvizjen e lirë të njerëzve, produkteve, shërbimeve dhe mallrave në të gjithë vendet e rajonit. Pikërisht për këtë jemi iniciatorë dhe aktorë aktivë në nismën Ballkani i Hapur, të cilën qytetarët tanë e mirëpritën hapur dhe ky është një motiv i madh për ne”, deklaroi Kryeministri.

Në kuadër të vizitës zyrtare u nënshkruan disa dokumente dypalëshe. Siç theksoi Kovaçevski, qytetarët dhe komunitetet e biznesit tashmë po e ndjejnë përfitimin e asaj që kanë ofruar qeveritë përmes të gjitha këtyre nismave.

Nuk ka më roaming ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa që prej disa muajsh kamionët transportuese në vendkalimet kufitare Qafë Thanë dhe Tabanoc lëvizin me kohë minimale të pritjes, si pasojë e vendosjes së “Open Balkan korsi”.

“Ndërlidhja e vendeve është për zhvillim më të madh të ekonomive tona, për të siguruar një treg të përbashkët rajonal dhe të vetëm pa kufizime, pa barriera, pa kufij dhe me një zhvillim të tillë afatgjatë mundësojmë një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët. Unë jam veçanërisht i kënaqur që disa dokumente dypalëshe u nënshkruan nga dy qeveritë, të cilat rrjedhin nga marrëveshjet e nënshkruara për Ballkanin e Hapur.

Memorandumi i parë i bashkëpunimit është nënshkruar ndërmjet dy Ministrive të Brendshme dhe ka të bëjë me lehtësimin dhe përshpejtimin e qarkullimit të njerëzve, automjeteve dhe mallrave në vendkalimin kufitar Tabanoc-Preshevë; E dyta ka të bëjë me rrjetëzimin e sistemeve elektronike të pikëpagesave; E treta ka të bëjë me bashkëpunimin në miniera dhe energjetikë, që nënkupton shkëmbim të përvojave dhe aktiviteteve për zhvillimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve afariste në fushën e minierave dhe energjetikës”, deklaroi Kovaçevski.

Kryeministri theksoi se përmes këtyre nismave, përmes bashkëpunimeve të tilla, ne tregojmë se jemi një rajon i me prosperitet dhe se fokusi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është përshpejtimi i integrimit evropian dhe kontributi që secili prej vendeve të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian sa më shpejt.