Kovaçevski-Vuqiç: Miqësia dhe partneriteti mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë thellohet, mundësojmë zhvillim të përshpejtuar rajonal

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot ndodhet në vizitë zyrtare në Republikën e Serbisë.

Në takimin me Presidentin Aleksandar Vuçiq u konfirmua partneriteti dhe miqësia shumëvjeçare ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë, e cila reflektohet përmes mbështetjes së vazhdueshme të ndërsjellë për çështjet dhe sfidat kyçe që prekin të dyja vendet.

Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy vendeve karakterizohen me një dialog  dinamik të nivelit të lartë politik, bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit  tregtar.
Në takim u bisedua për iniciativat rajonale, të cilat janë mundësi për perspektiva dhe avancim edhe më të madh të bashkëpunimit të ndërsjellë. Qëllimi i Ballkanit të Hapur dhe Procesit të Berlinit është zhvillimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë në tregun e vetëm evropian dhe në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Kovaçevski dhe Presidenti Vuçiq shkëmbyen mendime për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për dinamikën e negociatave aderuese të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Në këtë drejtim u theksuan proceset reformuese në disa fusha kyçe, ngritja e kapaciteteve institucionale si dhe strategjitë zhvillimore që zbatojnë qeveritë e të dy vendeve.

Në takim u shkëmbyen informacione edhe për veprimin e dy vendeve në kuadër të Ballkanit Perëndimor, në kontekst të situatës ekonomike, demokratike dhe të sigurisë në rajon dhe Evropë.

Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski, si dhe zëvendësministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Aleksandar Bajdevski.