Kryeministri Kovaçevski: Sot është ditë e madhe, kur bëhet fjalë për të drejtat e fëmijëve, të gjithë jemi një ekip

Kryeministri Dimitar Kovaçevski mbajti fjalim dhe mori pjesë në manifestimin me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve me moton: “Kur bëhet fjalë për të drejtat e fëmijëve, të gjithë jemi një ekip” në organizim të Fondit të Fëmijëve pranë Kombeve të Bashkuara (UNICEF) dhe Federatës së Futbollit të Maqedonisë.

Në manifestim fjalim mbajtën edhe Patricia DiXhiovani, përfaqësuese e UNICEF-it dhe Dani Masev, drejtor i FFM-së, pas së cilës do të zhvillohet ndeshje miqësore. Kryeministri Kovaçevski në fjalimin e tij theksoi se në këtë ditë na kujtohet se cilat janë prioritetet tona, ku duhet të na drejtohet shikimi, çfarë duam të arrijmë për të siguruar një fëmijëri pa brenga dhe gjithsesi një të ardhme më të mirë dhe mundësi për zhvillimin.

Në vazhdim fjalimi i plotë i Kryeministrit Kovaçevski:

“Së pari  t'ju uroj  Ditën Botërore të Fëmijëve.

Realisht çdo ditë e vitit është e juaja, por në këtë ditë, të gjithë ne të rriturit,  bashkë me ju,  kujtojmë se cilat janë prioritetet tona, ku duhet ta drejtojmë shikimin, çfarë duam të arrijmë për t'ju siguruar, së pari një fëmijëri pa brenga, dhe gjithsesi një të ardhme më të mirë dhe mundësi për zhvillim.

Këtë vit Dita Botërore e Fëmijëve praktikisht përkon me fillimin e Kupës Botërore të Futbollit dhe në atë frymë futbolli dhe energji ekipore dua të them se do të jemi të fortë si komunitet, përderisa si një familje kujdesemi për ata që përfaqësojnë të ardhmen e vendit tonë - fëmijët!

Vitet e fundit kanë qenë vërtet përplot me sfida - pandemia e KOVID, kriza ekonomike, lufta në Ukrainë, kriza energjitike, e gjithë kjo ka lënë  pasoja të madha, veçanërisht jo vetëm te familjet, por edhe te fëmijët.

Fëmijët dhe të rinjtë, sipas mendimit tim, ishin më të prekurit nga kriza e KOVID-19, në të vërtetë  tërësisht ju ndryshoi mësimi dhe të shoqëruarit e tyre, ju ndryshoi jeta. Aspak nuk ishte e lehtë të ishe fëmijë në atë kohë, por ne edhe atëherë dhe tani  zgjedhim të dalim fitimtarë nga të gjitha vështirësitë nëpër të cilat po kalojmë.

Unë besoj fort se sfidat na bëjnë më të fortë dhe se kur lundrojmë nëpër ujëra të trazuara, vetëm me qëndrim të guximshëm dhe proaktiv ndaj jetës arrijmë suksese.

Këtë lloj qasjeje duam t'ua përcjellim edhe më të rinjve dhe në këtë ditë me zë të lartë t’u themi që të jenë zëdhënës dhe përfaqësues të të drejtave të tyre.

Dita Botërore e Fëmijëve është përkujtesa jonë për detyrimet që si shoqëri i kemi ndaj fëmijëve tanë, veçanërisht ndaj atyre që janë në pozicion shumë të ndjeshëm.

Nuk dua të zgjas më shumë fjalimin tim. E shoh që të gjithë jemi të gatshëm për të mbështetur, kur mbërrita mora duartrokitje dhe prandaj vendosa të tërhiqem që të ndërroj rrobat dhe të luaj futboll”.