Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë Dimovski priti përfaqësuesit e radiove nacionale - "Radio Kanal 77" dhe "Metropolis Radio"

Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Metodija Dimovski, u takua me përfaqësuesit e dy radiove nacionale, “Radio Kanal 77” dhe “Metropolis Radio”, të cilët në emër të radiostacioneve nacionale në vend, kërkuan të gjendet një mënyrë për t'i ndihmuar financiarisht të tejkalojnë krizën në të cilën ndodhen për shkak të faturave të larta të energjisë elektrike, të cilat radiostacionet i paguajnë NP "Radiodifuzioni Nacional" për shfrytëzimin e sistemit të transmetimit.

Në takim u përcoll qëndrimi se radiot nacionale kërkojnë ndihmë financiare nga Qeveria, ashtu siç kanë marrë televizionet nacionale vitin e kaluar, nga pakot e masave të Qeverisë, gjegjësisht u është paguar kompensimi për multipleks.

Lidhur me këtë, u shtua se radiostacionet janë dëmtuar edhe më shumë, për shkak se Agjencia për Komunikime Elektronike (AEK) nuk ka vepruar sipas Dekretit të Qeverisë për lirimin e radiostacioneve nga kompensimi për shfrytëzimin e radiofrekuencave për vitin 2020, i cili u soll si një nga masat kundër krizës për të luftuar pasojat e pandemisë me KOVID-19.

Sekretari i Përgjithshëm Dimovski theksoi se do të informohet më tej për propozimet e përfaqësuesve të radiostacioneve nacionale dhe se është i hapur për diskutime të mëtejshme për të gjetur një zgjidhje të favorshme, ndërsa nënvizoi se përkrahja e mediave është e një rëndësie të madhe për shkak të përkushtimit ndaj transparencës, proceseve demokratike dhe interesit publik.