Zëvendëskryeministri Bytyqi takoi ambasadoren e Izraelit Frankel - Dy vendet tona kanë marrëdhënie tradicionalisht të mira, Izraeli ngushëllon qytetarët e Maqedonisë së Veriut për tragjedinë e aksidentit të autobusit

Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, u takua me ambasadoren e sapoemëruar të Izraelit, znj. Simona Frankel, të cilës e uroi për pozitën e re dhe i dëshiroi që në mandatin e saj të vazhdojë të thellojë bashkëpunimin ndërmjet Izraelit dhe Maqedonisë së Veriut dhe të kultivojë marrëdhëniet tashmë të shkëlqyera diplomatike.

Në fillim të takimit, ambasadorja Frankel, në emër të popullit të Izraelit, shprehu ngushëllimet e saj për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për familjet e të vrarëve në aksidentin e autobusit që ndodhi në Republikën e Bullgarisë.

Në takim u bisedua për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, kurse bashkëbiseduesit u pajtuan se ka potencial të madh për partneritet dhe shkëmbim përvojash për zhvillimin e inovacioneve, veçanërisht për inovacionet në prodhimin bujqësor dhe përpunimin e produkteve bujqësore, inkurajimin dhe zhvillimin e kompanive startap dhe avancimin e startap ekosistemit.

Zëvendëskryeministri Bytyqi dhe ambasadorja Frankel, në këtë takim fillestar, shprehën gatishmërinë për bashkëpunim në drejtim të avancimit të marrëdhënieve diplomatike, politike dhe eкonomike ndërmjet Izraelit dhe Maqedonisë së Veriut.