Kryeministri Zaev bisedoi me deputetin Kastriot Rexhepi: Vullneti i popullit për jetë paqësore dhe bashkëjetesë edhe më tej do të shprehet përmes shumicës së qëndrueshme demokratike në Kuvend

Sot në hapësirat e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kryeministri Zoran Zaev realizoi  takim dhe bisedoi  me deputetin Kastriot Rexhepi.

Kryeministri Zaev dhe deputeti Rexhepi edhe një herë konfirmuan përkushtimin e përbashkët për ruajtjen dhe forcimin e reformës dhe kursin evropian të vendit, si përcaktim i shumicës dërrmuese të qytetarëve të vendit tonë.

Gjatë bisedës, Zaev dhe Rexhepi theksuan se gjatë viteve të fundit vendi dhe populli kanë bërë hapa të mëdhenj për të siguruar një të ardhme të sigurt, duke shprehur besimin se vullneti i popullit për jetë paqësore dhe bashkëjetesë në Maqedoninë e Veriut edhe më tej do të shprehet përmes  shumicës së qëndrueshme demokratike në Kuvend.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se marrëdhëniet ndërmjet maqedonasve, shqiptarëve dhe të gjitha bashkësive tjera etnike në Maqedoninë e Veriut janë vëllazërore dhe miqësore dhe se të gjithë palët politikë kanë për obligim dhe përgjegjësi që t’i avancojnë  dhe zhvillojnë këto marrëdhënie.

 Në takim u shprehën pritshmëritë për përmbushjen përfundimtare të premtimeve nga Bashkimi Evropian dhe për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut, me të  cilën do të fillojnë negociatat për anëtarësimin e vendit tonë në BE.