Shpëtuan katër gazetarë afganë, Maqedonia e Veriut atyre u siguroi qëndrim të përkohshëm

Në mëngjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit ka mbërritur një grup prej katër gazetarë nga Afganistani, të cilët janë në rrezik nga autoritetet e reja atje.

Bëhet fjalë për gazetarë televizivë dhe të radios, të cilët kanë punuar për mediat lokale dhe me korrespondentë për mediat e huaja, të cilët  pas rënies së qeverisë demokratike, kanë marrë kërcënime me vdekje nga talebanët.

Maqedonia e Veriut u siguroi  atyre qëndrim të përkohshëm derisa të largohen në një vend të tretë me kërkesë të Organizatës Ndërkombëtare të Gazetarëve dhe Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias.

Me pranimin e këtyre shtetasve afganë, vendi vazhdon të luajë rol aktiv në një operacion të madh humanitar për të ndihmuar popullatën pro-demokratike në Afganistan.

Pas arritjes, u realizua procedura standarde – kontrolli i  sigurisë, mbrojtja dhe testi PCR.

Ata përkohësisht do të vendosen në Shkup, ndërsa shpenzimet i mbulon plotësisht  organizata e Gazetarëve për të Drejta të Njeriut.

Në vend  aktualisht janë 534 shtetas të Afganistanit për të cilët institucionet ofrojnë dhe japin mbështetjen dhe ndihmën e nevojshme.

Deri më tani, nga Maqedonia e Veriut  janë larguar 85 qytetarë të cilëve  qëndrim të përhershëm u siguruan Franca, Greqia, Irlanda, Portugalia, Brazili dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.