U nënshkrua marrëveshja me investimin e dytë të huaj në vitin 2021 - Kompania turke Purplast investon 5,1 milionë euro dhe hap 40-50 vende pune në ZIZHT Shkup 2

Kompania turke Purplast, e cila ka përvojë 40 vjeçare në industrinë e automobilave dhe eksporton produktet e saj në 36 vende të botës, në gjysmën e dytë të vitit 2021, do të hapë fabrikën e saj të re në ZIZHT Shkup 2 në të cilën realizon investime prej 5,1 milionë euro, dhe ku fillimisht do të punësohen 40-50 persona. Kjo u njoftua sot në një konferencë për shtyp në Qeveri, ku u nënshkrua marrëveshja për ndihmë nga shteti për realizimin e këtij investimi, në të cilën morën pjesë zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi , drejtori i Drejtorisë për Zonat industriale të zhvillimit teknologjik, Jovan Despotovski dhe drejtori ekzekutiv i grupacionit Purplast, Mehmed Shishmanoglu.

 Në fjalimin e tij në këtë ngjarje, zëvendëskryeministri Bytyqi përshëndeti vendimin e kompanisë, e cila përkundër situatës aktuale, vendosi të vazhdojë me realizimin e projektit të saj, me çka shprehi besim për politikat ekonomike të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për klimën pozitive të biznesit për investime në vend. Ai shtoi se ishte marrë një vendim i duhur, kurse Purplasti krizën e Covidit e pa si një mundësi për të hyrë në periudhën pas-Covid me investime të reja në linjat e reja të prodhimit.

“Përshëndes azhurnitetin e e menaxhmentit të Purplast, i cili tashmë ka tejkaluar shumën minimale të investimeve të parashikuara në planin e biznesit, e cila ishte 4 milionë euro dhe kanë investuar 5,1 milionë euro deri më tani në fabrikën në Bunarxhik, dhe për në fillim është planifikuar punësimi i 40-50 personave. Shpresoj se do të realizohen të gjitha kushtet dhe se planet zhvillimore do të vazhdojnë, kurse ato parashikojnë investime deri në 12 milionë euro dhe gjithsej 215 vende pune”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri theksoi se me hapjen, përkushtimin për krijimin e një klime edhe më të mirë afariste, krijimin e një sërë masash për të mbështetur investimet në prodhimtari dhe stimulimin e kompanive të eksportit, Qeveria meritoi besimin e kompanive dhe do të vazhdojë edhe më fuqishëm dhe më me përpikëri në zbatimin e synimeve për të rritur konkurrencën e ekonomisë maqedonase.

“Ne mund ta bëjmë atë vetëm duke tërhequr kompani të reja të huaja, por gjithashtu duke stimuluar zhvillimin teknologjik, modernizimin dhe dixhitalizimin e kompanive vendase, duke pushtuar tregje të reja dhe duke ndërtuar një brend prodhues, i cili në botë do të njihet për nga cilësia. Për 3 vitet e fundit, ne kemi dëshmuar si Qeveri se jemi një partner i qëndrueshëm biznesi. Të gjitha obligimet e marra në lidhje me marrëveshjet e ndihmës nga shteti janë në kohë dhe plotësisht të kryera. Së bashku me kompanitë, kemi krijuar lidhje të forta të bazuara në besim të ndërsjellë, por edhe përkushtim maksimal në realizimin e obligimeve të premtuara dhe të ndërmarra nga të dy palët”, nënvizoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi.

Drejtori i DZIZHT, Jovan Despotovski theksoi se kjo është shpallja e dytë e investimit në zonat TIR në vetëm 45 ditë të vitit të ri 2021, dhe gjithashtu prezantoi paketën e ndihmës nga shteti e cila është në marrëveshjen e nënshkruar me Purplast.

“Zonat industriale të zhvillimit teknologjik po bëhen gjithnjë e më të hapura për investitorët e huaj. Për 45 ditë po e tregojmë investimin e dytë konkret me të cilin lidhim kontratë. Kompania turke Purplast është investitori i ri në ZIZHT Shkup 2. Fillon me një cikël fillestar investimi prej 5,1 milionë euro dhe 50 nga gjithsej 200 të punësuar, bashkëqytetarë tanë. Rrogat do të lëvizin nga 20,000 deri në 75,000 denarë, segment që do ta përcjellim me vëmendje. Si Qeveri dhe si ZIZHT, ne vazhdojmë të paraqesim rezultate konkrete. Kemi zbatuar një praktikë të re të profilizimit të investitorëve dhe llogarisë së mirë. Kjo tregon se shteti mund të presë një kthim të mjeteve të ndara shtetërore në baza të ndryshme në më pak se 10 vjet. Qëllimi ynë është që me mekanizma të veçantë që i kemi zhvilluar për të nxitur investitorët që sa më shpejt të përdorin ndihmën e shtetit dhe të fillojnë të kthejnë në buxhetin e shtetit sa më shpejt”, tha drejtori Despotovski.

Drejtori ekzekutiv grupacionit Purplast, Mehmet Shishmanoglu, duke iu referuar krizës së Covidit, tha se ky vit solli një ndryshim që askush nga ne nuk e priste, duke shtuar një nivel plotësues e sfidës për realizimin e investimit.

“Me integrimin e plotë në “normalen e re” postpandemike, kompanitë sikurse Purplast që vazhdojnë të përparojnë do të rimëkëmben më shpejt dhe do të marrin më shumë hise të tregut me një linjë të re prodhuese dhe kapacitet të lirë. Me motivimin dhe besimin tonë të fortë në këtë investim, do mund t’ia fillojmë punën para fundit të majit të këtij viti dhe shpresojmë të takohemi personalisht gjatë ceremonisë sonë zyrtare të hapjes këtë verë,” tha Shishmanoglu.

Realizimi i këtij investimi filloi në vitin 2019, kurse përgatitja e truallit më 1 korrik 2020 dhe për një periudhë prej 7,5 muajsh përfunduan 75% e ndërtimit të objekteve. Sipërfaqja e truallit ndërtues me qira për Purplast është 26.000 m2, në fazën e parë është përdorur 50% e truallit (Faza 2 pritet për 2025). Gjithsej janë 12.000 m2 sipërfaqe të mbyllur: ndërtesa administrative në 2 kate me gjithsej 1.600 m2 dhe një sallë prodhimi, dhoma mekanike: gjithsej 10.400 m2.

Purplast është një nga partnerët lokalë të një investitori tjetër të huaj në vend, Van Hol, dhe portofoli i produktit të tij është i madh dhe përfshin prodhimin e pjesëve të brendshme (paneli i kontrollit, mbulesat, ndarjet, tapiceritë e tavanit, dorezat, timonët), pjesa e jashtme e automjete komerciale (parakolpë, grilë e përparme dhe e pasme, panele anësore, panele çatie.), si dhe prodhimi i ulëseve (vagonë udhëtarësh, autobusë urbanë dhe kamionë).