Konferencë për shtyp e zëdhënësve të Qeverisë, Arsovski dhe Hoxha: Fillon procesi për imunizim, me Pakon e pestë të masave fillon rimëkëmbja e ekonomisë dhe kthimi i normave të rritjes para krizës

Zëdhënësit e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dushko Arsovski dhe Muamet Hoxha, në konferencën e sotme të rregullt për shtyp informuan për konkluzat dhe vendimet e miratuara në mbledhjen e 45-të të Qeverisë dhe u përgjigjën në pyetjet e gazetarëve.

Në fillim zëdhënësit njoftuan se në vendin tonë po fillon procesi i imunizimit të popullsisë, ku sot 260 punonjës shëndetësor do ta pranojnë dozën e parë të vaksinës.

Duke informuar për vendimet nga mbledhja e 45-të e Qeverisë, zëdhënësit u fokusuan në Pakon e pestë të masave ekonomike, që ka për qëllim rimëkëmbjen e ekonomisë dhe kthimin e normave të rritjes ekonomike në interval prej 4-5% që nga fillimi i krizës dhe për mbështetje të drejtpërdrejtë të ekonomisë, kompanive dhe me këtë edhe mbështetje të qytetarëve për përmirësimin e standardit jetësor dhe kushteve të punës.

Vlera e këtij propozimi është vlerësuar në 9.773.100.000 denarë ose 158.912.195 euro, ndërsa dje në mënyrë të detajuar u prezantua nga ana e Kryeministrit Zoran Zaev dhe ministrave ekonomik.

Në konferencën për shtyp u theksua se në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin me Propozim-kërkesën për interpretim autentik të nenit 49 paragrafi 1 të Ligjit për kontrollin e barnave narkotike dhe substancave psikotrope në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Këtë procedurë Qeveria e inicion për shkak të kërkesës së një numri të madh të kompanive me licenca për rritjen e kanabisit për qëllime mjekësore për eksportin e lules së thatë nga kanabisi, si dhe për harmonizimin e paqartësisë në Ligjin për kontrollin e barnave narkotike dhe substancave psikotrope, gjegjësisht nëse lulja e thatë mund të ketë trajtimin e përgatitjes së substancave dhe bimëve të klasifikuara në listat II dhe III, e cila është e pranueshme për eksport jashtë territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Zëdhënësit informuan edhe për takimin me temë UNESKO që u mbajt mes Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev me ministrin për Transport dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski me kryetarët e Komunës  së Ohrit – Konstantin Georgieski, Komunës së Strugës – Ramiz Merko dhe Komunës së Debërcës – Zoran Nogaçeski. Takimi vijon pas Raportit të miratuar për gjendjen e mbrojtjes së trashëgimisë natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit, me të cilin është përfshirë progresi në zbatimin e rekomandimeve nga Vendimi i Komitetit për Trashëgimi Botërore dhe e detyroi Komisionin Nacional për UNESKO të Republikës së Maqedonisë së Veriut ta dorëzojë më së voni deri të enjten e ardhshme.

Në konferencën për shtyp zëdhënësit njoftuan se vazhdon pagesa e parakohshme në etapë e pensioneve për muajin shkurt të vitit 2021.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarit për atë që ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani kishte njoftuar për qasje të re në bisedimet me Bullgarinë, zëdhënësi Arsovski theksoi se në fazë përfundimtare është harmonizimi i një Plani të vetëm të veprimit me Republikën e Bullgarisë.

“Qeveria gjithë kohës është fuqishëm e motivuar që përmes dialogut të gjinden pika të përbashkëta për çështjet e hapura. Ekipet e ekspertëve nga ministritë për punë të jashtme janë në komunikim të vazhdueshëm. Ministri Osmani njoftoi qasje të re të pangarkuar nga emocionet që është nxitje shtesë e procesit”, theksoi zëdhënësi Arsovski.

Ai shtoi se në pika të caktuara nga Plani i veprimit puna mund të fillojë menjëherë.
“Pika të tilla janë infrastruktura, sporti, arsimi, shoqëria informatike, turizmi dhe të tjera obligime që janë në të dyja anët me qëllim që ta përforcojmë miqësinë mes Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë. Në frymën e konstruktivititetit, Qeveria gjithmonë komunikon me narrativ diplomatik të kujdesshëm dhe dinjitoz, me apel që të ruajmë gjuhën dhe komunikimin që i afrojnë diversitetet”, tha Arsovski.

Arsovski theksoi se çdo paraqitje publike, pavarësisht nga cila anë vjen, duhet të jetë në funksion të krijimit të ambientit miqësor në të cilin është më lehtë të arrihen zgjidhje.

“Pozitat maqedonase dihen dhe janë të konfirmuara publikisht: për identitetin maqedonas, popull dhe gjuhë nuk bisedohet dhe nuk do të negociohet. Në të njëjtën kohë apelojmë që të mos hyjmë në rrethin e fyerjeve, akuzave dhe gjuhës së urrejtjes, e cila nuk do të sjellë asgjë të mirë për askënd, sidomos për popullin maqedonas dhe bullgar", tha zëdhënësi Arsovski.