Zaev në mbledhje me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së: Mbështetja për perspektivën e qartë të Maqedonisë së Veriut si anëtare e BE-së është motivimi më i fuqishëm për reformat tona që të mund ti sjellim vlerat evropiane në vend

Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt mbledhja e rregullt vjetore e shefave të misioneve diplomatike të vendeve anëtare të BE-së në vendin tonë ku Kryeministri Zoran Zaev i informoi ambasadorët për aktivitetet aktuale dhe më të rëndësishme në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, para ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, të udhëhequr nga shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, Dejvid Gir, në mënyrë të detajuar e shpalosi vazhdimësinë e proceseve të ardhshme reformuese, posaçërisht në pjesën e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, reformat në administratën publike.

Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së shfaqën interes të veçantë në aktivitetet për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Republikën e Bullgarisë për shkak të së cilave nuk u arrit konsensus për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut në Bruksel, për të cilën në mbledhje u theksua mendimi i pandashëm se procesi duhet sa më shpejtë të vazhdojë, të përfundojë me fillim të bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE.

Kryeministri Zaev në mbledhje theksoi se duke pasur parasysh se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE nuk ka alternativë për ne është e rëndësishme të vazhdojmë dialogun me Bullgarinë, në frymën e respektimit reciprok dhe zbatimin e Marrëveshjes për miqësi përmes bashkëpunimit më intensiv ndër-sektorial.

“Njëkohësisht mbetemi të vendosur për çështje të caktuara, që janë linjat e kuqe për ne, siç është identiteti maqedonas dhe gjuha maqedonase, për to nuk negociojmë”, shtoi Kryeministri Zaev.
Gjatë debatit, Kryeministri Zaev e përshëndeti mbështetjen e shprehur për zgjerimin e BE-së nga ana e ambasadores së Portugalisë, Virxhinija Pina, gjatë së cilës shtoi se është shumë i rëndësishëm qëndrimi i kryesisë portugeze se  fillimi i bisedimeve me Republikën e Maqedonisë së Veriut janë mes prioriteteve dhe se Portugalia do të bëjë gjithçka që konferenca ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut të mbahet në gjysmën e parë të vitit 2021.

Kryeministri Zaev i ndau edhe pritshmëritë nga Plani investues ekonomik gjithëpërfshirës për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Evropian, i cili do të mobilizojë financim deri në 9 miliardë euro për investime në sferat e transportit, energjisë, tranzicionit të gjelbër dhe digjital, për të krijuar rritje të qëndrueshme dhe vende pune, duke nxitur zhvillimin ekonomik të vendit në periudhën e ardhshme post-kovid.

Kryetari i Qeverisë Zaev në mbledhjen me ambasadorët e BE-së shprehu falënderim për mbështetjen e Brukselit për përfshirjen e vendeve nga Ballkani Perëndimor në furnizimin me vaksina kundër COVID-19 dhe shprehu pritshmëri se do të ketë përshpejtim të kësaj procedure si shenjë e vazhdimësisë dhe solidaritetit në ballafaqim me pandeminë.

“Mbështetje unanime e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së për perspektivën e qartë të Maqedonisë së Veriut si anëtare e BE-së në mbledhje është një prej motivimeve më të fuqishme për reformat tona që ti sjellim vlerat evropiane në vend”, tha Kryeministri Zaev në mbledhjen e rregullt vjetore me shefat e misioneve diplomatike të vendeve anëtare të BE-së në vendin tonë, e cila u mbajt në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.