Zaev: ASNOM është një konfirmim historik i gjuhës sonë maqedonase dhe identitetit tonë maqedonas dhe bazuar në ato vlera ne po ndërtojmë ura miqësie midis kombeve

Jua përcjellim përgjigjen e plotë të Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në pyetjen lidhur me intervistën për një media bullgare:

Më lejoni që së pari të shpreh keqardhje që intervista ime për median bullgare shkaktoi aq emocione të fuqishme negative, për të cilat jam plotësisht i vetëdijshëm dhe të cilat i di dhe i kuptoj hollësisht.

Por njëkohësisht kam obligim ndaj qytetarëve maqedonas të inkurajoj lëvizjen drejt zgjidhjes së çështjeve që kanë lindur me Republikën e Bullgarisë dhe që janë bërë një pengesë për miratimin e kornizës për negociata me Bashkimin Evropian.

Të dy popujt, edhe maqedonasit edhe bullgarët, duhet të ballafaqohemi me ato çështje nga historia dhe të zhvillojmë dhe mbajmë kapacitet për mirëkuptim dhe falje.

Popujt evropian ranë dakord të mos harrojnë, por të falin. Për shkak të së ardhmes. Për shkak të së ardhmes së përbashkët në Bashkimin Evropian që është shembull si në emër të së ardhmes, dallimet më të thella dhe konfliktet historike u lanë në të kaluarën.

Ky është qëllimi im më i mirë dhe unë gjithmonë do ta përfaqësoj atë synim për sa kohë që ka shansin më të vogël për zgjidhje dhe për suksesin e procesit tonë të anëtarësimit në BE me fillimin e negociatave.

Shtetësia jonë bazohet në veprat e antifashizmit. Liria jonë është rezultat i antifashizmit.

Populli maqedonas e realizoi sovranitetin e tij në Jugosllavinë e AVNOJ dhe e realizoi idealin shekullor për shtetin e tij me Maqedoninë e ASNOM-it.

ASNOM është konfirmim historik i gjuhës sonë maqedonase dhe identitetit tonë maqedonas.

Por, dhënia e karakteristikave etike të fashizmit është e papranueshme. Qoftë në bullgar apo çfarëdo konteksti tjetër.

Faqet e errëta nga historia ballkanike dhe evropiane nuk duhet të jenë pengesë për zhvillimin e raporteve të mira fqinjësore në Ballkan dhe Evropë.

Edhe se ekziston ngrohje e raporteve mes Jugosllavisë dhe Bullgarisë pas pjesëmarrjes së armatave bullgare në luftën kundër fashistëve, pas vitit 1948 është fakt se ekzistonte “perde e hekurt” mes Jugosllavisë dhe Bullgarisë dhe konflikte serioze historike-politike rreth “çështjet maqedonase”.

Sot duhet të punojmë në largimin e pasojave nga “perdja e hekurt” të cilat ende ndjehen mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Historia duhet të na mësojë se mundemi edhe ndryshe, se mundemi edhe më mirë, duhet të bashkëpunojmë, por edhe bashkërisht ti respektojmë dallimet mes nesh.

Vetëm respektimi i dallimeve dhe lufta e përbashkët kundër gjuhës së urrejtjes dhe mungesës së tolerancës në shoqërinë maqedonase dhe bullgare, mund të ndërtojmë raporte të mira fqinjësore dhe ardhmëri të përbashkët.

Nëse nuk i pranojmë dobësitë e historisë, nuk mund të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët. Na duhet një histori që ndërton një urë miqësie midis kombeve, jemi të mbingarkuar nga histori që krijojnë përçarje dhe nxisin mungesë të tolerancës.

Le të jetojmë sot. Është koha të krijojmë histori e cila krijon të ardhme për të rinjtë dhe për gjeneratat e ardhshme.