Kryeministri Zaev dhe ministri Filipçe në takim me përfaqësuesit e veprimtarisë ahengje dhe dasma: Dialogu ka filluar, bashkë do të gjejmë zgjidhjet më të mira që të mos dëmtohet shëndeti i qytetarëve, ndërsa të zvogëlohet dëmi ekonomik në këtë veprimtari

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, nga përfaqësues të Komisionit për sëmundje ngjitëse dhe nga Koordinatorët nacional për kulturë dhe komunikim, realizuan takim pune me përfaqësuesit e restoranteve për dasma dhe ahengje, përfaqësues të klubeve të natës dhe përfaqësues të një pjese të muzikantëve që interpretojnë në skenë. 

Në takim, palët e interesuara mirëpritën gatishmërinë e Qeverisë dhe shprehën mirëkuptim dhe vetëdije për rreziqet që paraqet grupimi i qytetarëve në hapësira të hapura dhe të mbyllura për shëndetin publik. Njëkohësisht, Kryeministri Zaev dhe përfaqësuesit e Qeverisë treguan njohuri dhe mirëkuptim për rreziqet ekonomike dhe humbjet që ndodhin në veprimtarinë e ahengjeve dhe dasmave.

Pas mirëkuptimit të ndërsjellë dhe bisedës konstruktive, u arrit përfundim i përbashkët se me këtë takim ka filluar dialogu dhe se në periudhën që vijon, përfaqësuesit e restoranteve për ahengje dhe dasma dhe klubet e natës, si dhe përfaqësuesit e muzikantëve që interpretojnë në to, deri te Qeveria do të paraqesin propozime konkrete për zgjidhje, të cilat do të shqyrtohen nga organet kompetente profesionale të Qeverisë, nga aspekti ekonomik dhe nga aspekti shëndetësor-epidemiologjik dhe më pas do të vazhdojnë takimet shtesë të punës.

Qëllimi i përbashkët i palëve të përfshira në dialog është parandalimi i çdo rritjeje të rrezikut për shëndetin e qytetarëve në kushtet kur virusi korona po zgjerohet në të gjithë rajonin dhe Evropën, për të parandaluar kushtet për rritje të mëtejshme të numrit të të infektuarve dhe me këtë edhe numrin e vdekjeve dhe njëkohësisht të gjendet një zgjidhje e përbashkët për të mbështetur veprimtarinë e ahengjeve dhe dasmave, që është ndër më të prekurat, në mënyrë që të zvogëlohet dëmi ekonomik.