Gjatë orës policore të ardhshme do të vlejnë lejet e lëshuara më parë për lëvizje

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut i njoftoi kompanitë dhe qytetarët se për orën policore të ardhshme  e cila fillon sonte në orën 21:00, vazhdojnë të vlejnë të gjitha lejet e lëvizjes të lëshuara gjatë ndalimeve të mëparshme për lëvizje. Këto leje kanë të bëjnë me operatorët ekonomikë, restorantet dhe furnizuesit e ushqimit dhe për marketet.

Gjithashtu, ndalimi për lëvizje nuk vlen për personat me aftësi të kufizuara dhe shoqëruesit e tyre nëse kanë dokumentacion të duhur.

Shëtitja e beniaminëve do të jetë në oraret e caktuara në periudhat 08:00 - 08:30, 15:00 - 15.30 dhe 20:00 - 20:30.

Ndalimet e lëvizjes nuk kanë të bëjnë me bujqit që kryejnë veprimtari bujqësore në ambient të hapur, me ç'rast lejohet lëvizja brenda territorit (zonës) së fshatrave, ekskluzivisht për nevoja pune.

Gjatë periudhës për të cilën u soll ky vendim për ndalim të lëvizjes, barnatoret do të punojnë pa ndërprerje, ndërsa Ministria e Shëndetësisë do të përpilojë plan për punë të pandërprerë edhe për institucionet shëndetësore.

Gjithashtu, nga ndalimi i lëvizjes përjashtohen pjesëtarët e policisë, armata, punonjësit shëndetësorë (në ISHP, IPSH, si dhe mjekët amë).

Sipas vendimit qeveritar të marrë në bazë të rekomandimeve të Komisionit për sëmundje infektive, me qëllim të parandalimit të përhapjes së Kovid-19, prej sonte nga ora 21:00 vendoset ndalim i plotë i lëvizjes për të gjithë qytetarët në Shkup (të gjitha komunat e Shkupit), Kumanovë, Likovë, Shtip, Karbinci, Tetovë, si dhe Bogovinë, Bërvenicë, Tearcë, Zhelinë dhe Jegonovcë. Ndalimi i lëvizjes është në fuqi deri të hënën (8 qershor) deri në orën 05:00.

Në të gjitha qytetet e tjera, ndalohet lëvizja e të gjithë qytetarëve nga dita e enjte (4 qershor) nga ora 21:00 deri të premten (5 qershor) deri në orën  05:00 të mëngjesit,  ndërsa të premten, të shtunën, të dielën në këto qytete ndalimi fillon nga ora 16:00 dhe zgjat deri ditën tjetër, deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Gjithashtu, në periudhën nga dita e enjte (4 qershor) nga ora 21:00 deri të hënën (8 qershor)  deri në orën 05:00, ndalohet vizita e varrezave në tërë territorin e vendit, përveç varrimeve.