Nga mbledhja e 159-të e Qeverisë: 170 kompani do të marrin ndihmë financiare nëpërmjet programeve të Planit për rritje ekonomike; U siguruan 915 milionë denarë për pagesën e mjeteve financiare të bujqve

Mbledhja e rregullt e 159-të e Qeverisë u mbajt në Manastir, si mbledhje e parë në kuadër të  mbledhjeve që në periudhën e ardhshme do të mbahen në qytete të ndryshme në vend.

 

Në mbledhje morën pjesë edhe kryetarët e komunave të rajonit të Pellagonisë, kryetari i Komunës së Manastirit, Prilepit, Krivogashtanit, Dollnenit, Novacit, Mogillës dhe Demir Hisarit, ndërsa ministrat e Qeverisë u prononcuan për aktivitetet e secilit dikaster në rajonin e Pellagonisë, veçanërisht në pjesën e infrastrukturës rrugore dhe komunale, si dhe për progresin në ndërtimin e gazsjellësit primar në drejtimin Negotinë-Prilep-Manastir.  

Ministrat e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut informuan edhe për projektet aktuale në shëndetësi, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe mbrojtjen sociale, si dhe për kulturën dhe zhvillimin lokal ekonomik.

 

Në pyetjet dhe propozimet e kryetarëve të komunave në lidhje me iniciativat e tyre për të cilat pritet mbështetje nga Qeveria, Kryeministri Zaev theksoi se investimi në këtë rajon do të vazhdojë me një intensitet edhe më të madh për përfitime të drejtpërdrejta të qytetarëve.

 

Në këtë mbledhje, Qeveria e RMV-së shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për lidhjen e Marrëveshjes për dhënien e mbështetjes financiare për 170 kompani, duke përfshirë edhe kompanitë e zonave tregtare industriale dhe një kompani nga diaspora, përmes programeve të Planit për zhvillim ekonomik. Për këtë mbështetje financiare janë vlerësuar investimet e realizuara për vitin 2018 që kanë të bëjnë me investimet për blerjen e makinave dhe pajisjeve të reja dhe për investim në objekte dhe tokë.

Mbështetja financiare e këtij programi përmes Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit, ndahet për investime tani më të realizuara ose investime shtesë të nevojshme për veprimtari, deri më 10% nga investimi i realizuar dhe jo më shumë se 1.000.000 euro. Mjetet për këtë qëllim janë paraparë në Buxhetin e vitit 2019.

 

Vlera e përgjithshme e investimeve në këto 170 kompani është 230 milionë euro, me çka hapen 4577 vende të reja të punës, nga të cilat në vitin 2018 janë punësuar 2117 persona.

 

Në mbledhjen që u mbajt në Manastir u shqyrtua dhe u miratua Informacioni për zbatimin e aktiviteteve për mbështetjen e sektorit privat nga ana e Qendrave për zhvillim të rajoneve të planifikuara – Qendra Rajonale të Biznesit.

 

Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi tekstin e ri të Propozim-ligjit për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve dhe solli vendim që i njëjti të dorëzohet për miratim në Kuvendin e RMV-së.

 

Me propozim të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, në këtë mbledhje u miratua Propozim-programi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit për mbështetje financiare në bujqësi për vitin 2019, sipas të cilit me rebalancin e Buxhetit të RMV-së janë paraparë 915 milionë denarë shtesë për pagesën e mjeteve financiare për bujqit.

 

Me këto mjete do të bëhet pagesa e ekonomive bujqësore nga Programi për mbështetje financiare në bujqësi për vitin 2019 edhe atë për kërkesat e vetme sipas sipërfaqes së prodhuesve të kulturave bujqësore, kopshtarisë, vreshtarisë dhe pemëtarisë, si dhe pagesë për kokë të bagëtive, dhenve, dhive, derrave, shpendëve dhe bletëve.   

 

U siguruan para edhe për pagesën e prodhuesve të kopshtarisë të cilët prodhimet e tyre i kanë dorëzuar në kapacitete përpunuese, si dhe për blerjen e grurit të vitit 2018 i prodhimit vendor. Në ndryshim janë paraparë edhe mjete financiare për pagesën e qumështit të lopës, të dhenve dhe të dhisë të prodhuar dhe të dorëzuar në periudhën janar-prill të vitit 2018.

 

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për kërkesën e bletarëve nga rajoni i Demir Hisarit dhe angazhoi Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari dhe Agjencinë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, të dorëzojnë vendim adekuat për pagesën e 36 kërkuesve të mbështetjes financiare për nën-masat për bletari nga rajoni i Demir Hisarit, për shkak të dëmeve të shkaktuara te bletët në këtë rajon.