Bekteshi: Krijojmë parakushte për të ardhmen e Kodrës së Diellit

Intenzivisht punohet në rikonstruimin e rrugës nga Tetova e deri te Kodra e Diellit ndërsa pritet që nga fundi i shtatorit ky aks rrugor me gjatësi prej 18.2 km të rikonstrohet plotësisht. Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi së bashku me ministrin e transportit dhe lidhjeve Goran Sugareski, drejtorin e ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore Zoran Kitanov dhe kryetaren e komunës së Tetovës, Teuta Arifi sot kanë inspektuar ndërtimin e kësaj rruge që të shpie në qendrën dimërore të Kodrës së Diellit. 

Siç theksoi ministri Bekteshi, kjo rrugë është shumë e rëndësishme, jo vetëm për banorët e  vendas në Tetovë, por për të gjithë turistët që do të duan të vizitojnë Kodrën e Diellit. Bekteshi  informoi se qeveria është në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet lokale në mënyrë që të gjejë një zgjidhje për infrastrukturën e brendshme të ski qendrës në Kodër të Diellit. 

"Pas përfundimit të rikonstruimit të rrugës kryesore që lidh Tetovën me Kodrën e Diellit në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Komunën e Tetovës, ne do të fillojmë me rindërtimin edhe të rrugëve lokale në Kodër të Diellit," tha Bekteshi. 

Ministri njoftoi se Qeveria është e përkushtuar të rivendosë shkëlqimin Kodrës së Diellit si një destinacion turistik ndërsa aktivitetet për këtë tashmë kanë filluar. 

"Teleferiku në Kodër të diellit është në fazën përfundimtare dhe aktualisht punonjësit e ELEM Tours po  trajnohen  për ta vënë në funkcion.Të gjithë vizitorët të Kodrës së Diellit do t'u japim një mundësi shtesë për të shfrytëzuar teleferikun i cili plotëson të gjitha kriteret ndërkombëtare edhe atë jo vetëm gjatë sezonit të dimrit, por po shqyrtojmë mundësinë që teleferiku të punojë edhe në stina të tjera duke marrë parasysh trendin në rritje të turizmit malor ", tha Bekteshi. 

Lidhur me të ardhmen e qendrës dimërore kodra e Diellit, në kuadër të së cilës është ski qendra "Kodra e Diellit" si dhe hotelet "Slavia" dhe "Kodra e Diellit", ministri informoi se për momentin është duke u përgatitur një analizë e hollësishme dhe studim i fizibilitetit nga kompania "Pricewaterhouse Cooper " të  cilët duhet të tregojnë implikimet financiare për të investuar në të ardhmen. 

"Deri më 20 tetor, ELEM Tours duhet të ketë analizën e" Pricewaterhouse Coopers "në lidhje me modelin e transformimit dhe ne, si Qeveri, do të vendosim se si të zhvillojmë Kodrën e Diellit . Mund të jepet me koncesion, mund të jepet në partneriteti publiko-privat, por nuk mund të marrim një vendim para se të kemi një analizë të gatshme të imlikimeve financiare , theksoi ministri Bekteshi. 

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski theksoi se kjo rrugë është shumë e rëndësishme e cila do të kontribuojë jo vetëm në promovimin e turizmit, por gjithashtu do të japë stimul shtesë në zhvillimin e Kodrës së Diellit dhe rajonit të Tetovës.