Qeveria e RMV-së sot do ta mbajë mbledhjen e rregullt të 144-të

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do të mbajë mbledhjen e rregullt të 144-të me më shumë pika të rendit të ditës nga programi i saj i punës në interes të qytetarëve.

Në seancën e sotme do të shqyrtohet Raporti për negociatat e bëra me tekst të harmonizuar të Memorandumit për Mirëkuptim mes Agjencisë për Mbështetje të Sipërmarrjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Agjencisë Bullgare për Promovimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Bullgarisë.

Me propozim të Ministrisë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, në këtë seancë do të shqyrtohet projekt programi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit për Mbështetjen Financiare të Zhvillimit Rural për vitin 2019, si dhe Informatën mbi Zgjerimin e Programit për Ujitje të Republikës së Maqedonisë Veriore, duke siguruar fonde shtesë nga huatë e marra për zhvillim mes Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe KfW Bank.

Sekretariati për Çështje Evropiane për këtë seancë të Qeverisë së RMV-së e propozon Informatën për nënshkrimin e Marrëveshjes për Financim mes Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Veriore dhe atë të Republikës së Kosovës për Programin e Veprimit për Bashkëpunimin Ndërkufitar mes Republikës së Maqedonisë Veriore dhe Republikës së Kosovës për 2018-2020.

Në seancën e sotme, ministrat e Qeverisë do të njoftohen me Informatën për realizimin e aktiviteteve jashtë-arsimore në shkolla lidhur me edukimin për antikorrupsion të studentëve.

Mbledhja e 144-të e rregullt e Qeverisë së RMV-së është parashikuar të fillojë në orën 12:00.