Takim i Kryeministrit Zaev me delegacionin e lartë parlamentar të Republikës së Polonisë: Republika e Maqedonisë së Veriut është e përgatitur për progres edhe në integrimet evropiane

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev sot u takua me Rishard Terleçki, Zëvendëskryetar i Parlamentit të Republikës së Polonisë.

Në takim u shpreh mbështetja për integrimet euroatlantike të Republikës së Maqedonisë së Veriut. U paralajmërua se së shpejti Parlamenti i Polonisë do ta ratifikojë Protokollin për hyrjen e shtetit tonë në NATO. Gjithashtu u konstatua se Republika e Maqedonisë së Veriut është e përgatitur të bëjë progres edhe në integrimet evropiane. Bashkërisht u konstatua se është e nevojshme të vazhdojnë politikat e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

“Aspiratë e jona është që në Samitin e qershorit në BE, pas statusit 14 vjeçar si vend kandidat, të marrim datë për fillimin e negociatave me BE-në. Shpresojmë se mbështetja e vazhdueshme e vendit tonë nga miku jonë Republika e Polonisë do të konfirmohet në qershor, ndërsa ne punojmë në argumentet për ta merituar mbështetjen”, theksoi Kryeministri Zaev.

Kryetari i Qeverisë Zaev, theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është shembull pozitiv, si nëpërmjet dialogut zgjidhen çështjet e rëndësishme me fqinjët, me krijimin e miqësive dhe ardhmërisë së përbashkët. Ai shtoi se reformat zbatohen me sukses, ndërsa zgjidhja e çështjeve të rëndësishme politike, procesi i hyrjes në NATO dhe inkurajimi për afrimin drejtë BE-së, japin rezultate edhe në planin ekonomik, siç është rritja e investimeve të huaja për 4 herë më shumë gjatë vitit 2018, në krahasim me vitin 2017, ulja e papunësisë, rritja e industrisë dhe PBB-së që shpien drejtë motivimit të të rinjve të mbeten dhe punojnë në vendin e tyre.

“Jemi para zgjedhjeve për Kryetarin e 5-të të shtetit dhe besoj se me vetëdijen dhe përgjegjësinë e të gjithëve, do të tregojmë se ky vend ka kapacitete serioze demokratike”, theksoi Kryeministri Zaev.

Në takim u bisedua edhe për mundësitë e hapura për avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, planin ekonomik, në fushën e turizmit, kulturës dhe bashkëpunimit parlamentar, për arsye të së cilës në vend qëndron delegacioni parlamentar i Polonisë. Kryeministri Zaev dërgoi ftesë për vizitën zyrtare të Kryeministrit të Republikës së Polonisë, Mateush Moravecki, nëpërmjet Zëvendëskryetarit të Parlamentit të Republikës së Polonisë Rishard Terleçki.