Osmani në Rumani në takim me Ministrin për Çështje Evropiane, Xhorxhe Çiamba: Perspektiva evropiane është oksigjen për sukseset si Marrëveshja e Prespës

Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani i cili për vizitë pune qëndron në Republikën e Rumanisë mbajti takim me Ministrin e deleguar për Çështje Evropiane të Rumanisë, Xhorxhe Çimba, ku u hapën temat për sfidat dhe perspektivat e kryesimit të Rumanisë me Bashkimin Evropian.

“Mirënjohje të sinqerta për kolegun tim Çiamba, për marrjen e timonit të BE-së. Që gjithsesi paraqet sukses të madh për Rumaninë, si dhe potencial të madh për gjithë ne, vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e pasur parasysh afërsinë dhe interesin e Rumanisë për rajonin si dhe marrëdhëniet tradicionale miqësore me Maqedoninë” – theksoi Osmani gjatë takimit. Osmani potencoi suksesin e implementimit të Marrëveshjes së Prespës, duke shprehur kënaqësinë e mbylljes së një ndër çështjet të hapura më të rëndësishme dhe më komplekse, me të cilën shmangen gjitha pengesat politike për progresin e vendit në strukturat euro- atlantike.

“Krahas Marrëveshjes së Prespës, kishim sukses të madh edhe në arritjen e Marrëveshjes historike për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, si dhe konsensus thelbësor për Ligjin për përdorimin e Gjuhëve, me të cilin i shmangëm gjitha çështjet e mëdha politike të brendshme dhe të jashtme” -  theksoi Osmani, duke potencuar se perspektiva evropiane është oksigjen kryesor për këtë sukses, me të cilin qartë theksohet fuqia e idesë evropiane për transformimin pozitiv të shoqërisë.

“Suksesi i Prespës pres të ketë ndikim pozitiv edhe në vendet tjera të rajonit, si një shembull pozitiv për mbylljen e çështjeve të hapura nëpërmjet dialogut, politikës së hapur dhe qasjes pozitive” – theksoi Osmani, duke potencuar dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, si një ndër sfidat më të rëndësishme në rajon.

Gjatë vizitës së tij, Osmani mbajti takim edhe me Kryeministren e Republikës së Rumanisë, Viorika Dançila, Ministrin për Punë të Jashtme Teodor Maleshkanu, si dhe me Ministren për fonde Evropiane, Rovana Plumb, gjithashtu Osmani mbajti takime edhe me Kryetaren e Komisionit për Çështje Evropiane, Gabriela Kretu, si dhe me Nënkryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve (dhoma e poshtme), Florin Lordake.