Ministria e kulturës: U nënshkrua marrëveshje për grant për Çifte Hamam

Ministri i kulturës, Asaf Ademi, dhe ambasadori i SHBA-ve në Republikën e Maqedonisë, Xhes Bejli, sot në Çifte Hamam morrën pjesë në nënshkrimin e Marrëveshjes për grant që e ndan Fondi i Ambasadorëve për trashëgimi kulturore i SHBA-ve për vitin 2018 për projektin “Rehabilitimi i dëmtimeve nga lagështia (enterieri dhe eksterieri), mbrojtja nga hyrja e ujërave atmosferike, mbrojtja nga rrezet ultraviolete dhe rrethimi i objektit kulturor Çifte Hamam”.

“Me nënshkrimin e këtij granti, që kap shumën prej 91.000 dollarësh amerikanë, ne vazhdojmë me përpjekjet tona për të siguruar jetëgjatësinë e këtij monumenti reprezentativ të kulturës - që është pjesë e Galerisë Nacionale të Maqedonisë dhe është në funksion të një hapësire multimediale ekspozuese”, theksoi ministri Ademi. Ai ka shtuar se granti për Çifte Hamamin është granti i dytë që Ambasada e SHBA-ve në vend ia ndanë Galerisë Nacionale të Maqedonisë, pas grantit të parë në vitin 2010 që ishte dedikuar për rikonstruimin dhe ndërtimin e kanalit të drenazhit të Hamamit të Daut-Pashës.

Ministri i kulturës duke shprehur falënderimin e tij për ambasadorin Bejli,  ka kujtuar se kujdesi i përbashkët për trashëgiminë kulturore në Republikën e Maqedonisë, me mjete të granteve nga Fondi i Ambasadorëve për mbrojtje kulturore të SHBA-ve në Republikën e Maqedonisë deri më tani është konfirmuar me realizimin e 13 projekteve të rëndësishme.