Zëvendëssekretar i Përgjithshëm i Qeverisë

Tahir Hani është Zëvendëssekretar i Përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. 

Tahir Hani është i lindur më 15 dhjetor të vitit 1961 në f. Veleshtë të Strugës, ku edhe ka mbaruar arsimin fillor dhe të mesëm. Ka diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës në Fakultetin Juridik.  

Tahir Hani ka qenë aktivist i kauzës kombëtare në kohën e Ish Federatës Jugosllave dhe ka luftuar për barazinë e shqiptarëve në këtë rajon.  

Tahir Hani si student i Universitetit të Prishtinës në periudhën prej 1982/85 ishte i angazhuar në Lëvizjen Ilegale për Republikën e Kosovës.

Më 6 nëntor të vitit 1985, ishte i burgosur dhe pas hetimeve të Gjykatës së Apelit në Manastir, ishte i dënuar me 13 vite burg.

Pas lirimit nga burgu më vitin 1990, Tahir Hani ka vazhduar me aktivitetet e tij, të përkushtuar në barazinë e plotë të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe realizimin e aspiratave për pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Është anëtar i Udhëheqësisë qendrore të Bashkimit Demokratik për Integrim që nga viti 2002, detyrë të cilën vazhdon ta ketë.

Në periudhën prej 2000-2005, ka ushtruar funksionin e Kryetarit të Komunës së Veleshtës.

Prej vitit 2005 deri më vitin 2006 ishte Drejtor i NKP për Higjienë në Komunën e Strugës.

Kontributi i tij do të vazhdojë si deputet në mandatet 2006-2008 dhe 2008-2011, ku në mandatin 2008 - 2011 e kryen detyrën e Koordinatorit të grupit të deputetëve të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Në korrik të vitit 2012 u emërua Zëvendësministër i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. 

Nga shkurti i vitit 2013 deri më korrik të vitit 2014 ka kryer funksionin e Ministrit në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale.

Më 20.6.2014 është emëruar Zëvendëssekretar i Përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Më 3.4.2018 është riemëruar Zëvendëssekretar i Përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.