Nga mbledhja e 135-të e Qeverisë: Përgatitje për takimin e 16-të të Këshillit për Stabilizim dhe Asociimit, që mbahet këtë javë në Shkup

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme, e shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për Takimin e Gjashtëmbëdhjetë të Këshillit për Stabilizim dhe Asociim ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, me Platformë për prezantimin e delegacionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim (MSA), e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2004, paraqet kornizën për zbatimin e marrëdhënieve kontraktuale, deri në anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Duke marrë parasysh kryesimin me rotacion të Këshillit për Stabilizim dhe Asociim, takimin e sivjetshëm, i cili është paraparë të mbahet këtë javë, më 17 mars (e premte) 2023, do të kryesohet nga Republika e Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe bashkëkryesuesi nga ana e Bashkimit Evropian do të jetë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri dhe nënkryetari i Komisionit Evropian, Zhozep Borell. Në delegacionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të jenë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Në delegacionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të jenë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërsa në delegacionin e BE-së do të marrin pjesë edhe Komisioneri për Politikë të Fqinjësisë së Mirë dhe Zgjerim, Oliver Varheji dhe përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të institucioneve evropiane.

Në mbledhjen e Qeverisë janë miratuar disa vendime, të propozuara nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Qeveria e ka përcaktuar tekstin e Propozim-ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për liri të lëvizjes me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.

Marrëveshja për liri të lëvizjes me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor është realizuar në Berlin më 3 nëntor të vitit 2022 mes gjashtë vendeve në rajon, edhe atë: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, ndërsa është nismë e vendit tonë nga bashkëkryesimi i përbashkët me Bullgarinë me Procesin e Berlinit, me qëllim që të pasqyrohet modeli i marrëveshjeve dypalëshe për udhëtime të lira me letërnjoftime.

Marrëveshja, sipas elaborimit nga propozuesi, synon të promovojë më tej bashkëpunimin dhe të lehtësojë kushtet për udhëtim, duke përfshirë përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke thjeshtuar procedurat administrative në aspektin e hyrjes, tranzitit dhe qëndrimin afatshkurtër, bartës të letërnjoftimeve, të lëshuara nga vendet e përmendura.

Qeveria përcaktoi edhe tekstin e Propozim-ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor.

Marrëveshja, sipas informacionit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, është në përputhje me Konventën e Lisbonës për njohjen e kualifikimeve që kanë të bëjnë me arsimin e lartë në hapësirën evropiane, si pjesë e iniciativës për krijimin e Tregut Ekonomik Rajonal 2021-2024 sipas  konkluzioneve  të Samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit në Sofje (2020), ndërsa synon arritjen e një zbatimi të suksesshëm dhe të plotë të dispozitave për tregun e brendshëm të BE-së, në kuadër të të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Marrëveshja rregullon njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, vazhdimin e studimeve dhe qasjen në tregun e parregulluar të punës në secilën nga Palët.

Qeveria përcaktoi edhe tekstin e Propozim-ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale të doktorëve të mjekësisë, doktorëve të mjekësisë dentare dhe arkitektëve, në kuadër të Marrëveshjes së Evropës qendrore për tregti të lirë.

 Marrëveshja, siç është sqaruar nga propozuesi, parashikon njohje automatike të kualifikimeve profesionale në bazë të kërkesave minimale për tre profesionet të vërtetuara me këtë Marrëveshje dhe me Direktivën 2005/36/E3 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit nga 7 shtatori i vitit 2005, për njohjen e kulifikimeve profesionale, të ndryshuar me Direktivën 2013/55/BE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit nga 20 nëntori i vitit 2013.      

Marrëveshja parashikon procedurë të përbashkët për njohjen e kualifikimeve profesionale, procedurën e njohjes retroaktive të kualifikimeve, i parashikon dokumentet publike që kërkohen për njohjen e kualifikimeve profesionale, për përdorimin e titujve profesional të kualifikimeve, si dhe përdorimi i titujve akademikë.

Me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, Qeveria në mbledhje e sotme ka marrë vendim që pjesëtarë të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut të dërgohen në disa stërvitje në: Republikën Federale të Gjermanisë, Republikën e Greqisë, Republikën e Bullgarisë, Republika e Turqisë, Republika e Polonisë, Republika e Sllovenisë.