Kryeministri Kovaçevski mori pjesë dhe mbajti fjalim në ngjarje me rastin e Ditës së arsimit në gjuhën turke

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, mori pjesë dhe mbajti fjalim me rastin e Ditës së arsimit në gjuhën turke organizuar nga Partia Demokratike Turke. 

Kryeministri Kovaçevski në fjalimin e tij theksoi se Qeveria punon në reforma të cilat duhet të sigurojnë cilësi evropiane të jetesës në aspekt të barabartë për të gjithë qytetarët në shtetin tonë.

Në vazhdim ua përcjellim fjalimin integral të Kryeministrit Kovaçevski:

“Faleminderit për ftesën për të festuar sot këtu, 21 dhjetorin, Ditën e arsimit në gjuhën turke në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Unë jam edhe profesor dhe do të pajtohem plotësisht me Presidentin e parë turk, revolucionarin e madh, Mustafa Kemal Ataturk, i cili, meqë ra fjala, është një mundësi e mirë, kujtojmë se shkollën e mesme e kreu pikërisht në Manastir.

Udhërrëfyes suprem në jetë është dija, ka konstatuar Ataturku, duke kuptuar se mësuesit marrin pjesë në shpëtimin e kombeve.

Kjo sepse në arsim janë historia, e tashmja dhe e ardhmja e një vendi, të cilat ne ua përcjellim fëmijëve tanë përmes procesit mësimor, që në moshë të hershme.

Mundësia e arsimimit në gjuhën amtare është e drejtë qytetare dhe ne si demokraci multietnike e kemi garantuar me Kushtetutë dhe kjo vlen edhe për qytetarët e komunitetit turk në vend. Por është edhe reflektim i respektit të ndërsjellë, si bazë për ndërtimin e çdo shoqërie të shëndetshme dhe stabile – Një shoqëri për të gjithë, në të cilën së bashku kemi vendosur dhe po e zhvillojmë dhe ndërtojmë Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Kjo pikëpamje ishte e qartë edhe për paraardhësit tanë, kur në këtë tokë, në vitin 1944, në Sh.F. Tefejuz në Shkup, u mundësua vazhdimi i mësimit në gjuhën turke, me alfabetin e ri latin turk.

Që nga viti 2007, Dita e arsimit në gjuhën turke është gjithashtu një festë shtetërore për qytetarët e komunitetit turk në vend, për të cilën u angazhuan deputetët e atëhershëm të partnerit tonë të koalicionit, Partisë Demokratike Turke dhe DPT vazhdojnë të jenë mbështetje e jona në avancimin e të drejtave të komunitetit turk në vend.

Bashkatdhetarët tanë turq janë qytetarë dhe punëtorë, që respektojnë traditën. Edhe kultura turke është një nga pjesët në mozaikun e diversitetit dhe trashëgimisë së vlefshme kulturore-historike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilën ne e ruajmë si një thesar të paçmuar.

Megjithatë, qytetarët turq janë gjithashtu shembull i qytetarëve besnikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët mbrojnë interesat shtetërore dhe strategjike - gjithmonë që është e nevojshme.

Edhe sot, ne veprojmë së bashku në përpjekjet për një Republikë euroatlantike moderne, të zhvilluar ekonomikisht, të Maqedonisë së Veriut, pjesë e botës progresive demokratike.

Sot, së bashku me partnerin tonë të koalicionit, Partinë Demokratike Turke, e cila është pjesë e Qeverisë, po zhvillojmë beteja të përbashkëta, me mjete bashkëkohore - në tryezat e dialogut.

Dhe pasi ia dolëm mbanë në përpjekjet tona që Republika e Maqedonisë së Veriut të bëhet anëtarja e 30-të e plotë e NATO-s, jam i bindur se mund të kemi sukses që Republikën e Maqedonisë së Veriut ta bëjmë anëtare të plotë të Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.

Ndërkohë, ne jemi duke punuar në reformat, të cilat duhet të sigurojnë një cilësi evropiane të jetës këtu - në shtëpi, dhe në trajtimin e sfidave aktuale nga një kontekst global.

Me partnerin tonë tradicional, Republikën e Turqisë, e cila ka qenë mikja jonë që nga pavarësia e vendit, kemi zhvilluar bashkëpunim të shkëlqyer ekonomik, Turqia është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Maqedonisë së Veriut, angazhimi ynë i përbashkët është të rrisim vëllimin e tregtisë dypalëshe në një miliard dollarë. dhe ka një numër të konsiderueshëm investitorësh turq në vend.

Urat e bashkëpunimit që ndërtojmë, në vend, në rajon dhe në botë, janë rruga jonë përpara drejt një Republike evropiane dhe të zhvilluar ekonomikisht të Maqedonisë së Veriut.

Do të rikthehem te Ataturku i cili tha se paqja në shtëpi është paqe në vend dhe paqja në vend është paqe në botë.

Ne mbetemi të përkushtuar ndaj këtij përfitimi përfundimtar civilizues.

Republika e Maqedonisë së Veriut është shembull i një demokracie funksionale multietnike të suksesshme - Evropa në miniaturë, shembull në rajon dhe në Evropë, dhe me shembuj të rinj do të vazhdojmë të motivojmë komunitetin, sepse mund të bëhet shumë, por së bashku mund të bëjmë më shumë.

Edhe një herë, të gjithë bashkëqytetarëve të komunitetit të turqve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ua uroj festën – Ditën e arsimit në gjuhën turke”.