Osmani: Në fokus të kryesimit tonë do të jetë kthimi i paqes dhe stabilitetit në Ukrainë

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në margjinat e Këshillit Ministror të OSBE-së, në Logj, sot realizoi takim bilateral me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Ukrainës, Dmitro Kuleba.

Në takim, Osmani e rikonfirmoi mbështetjen e pahamendshme të Maqedonisë së Veriut për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe solidaritetin me popullin ukrainas në luftën e tyre për rikthimin e lirisë dhe tejkalimin e pasojave të agresionit ushtarak rus. Njëherazi, Osmani nënvizoi se mbështetja e Ukrainës do të jetë prioritet parësor edhe gjatë kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në vitin e ardhshëm.

“Përpjekjet tona do të fokusohen në sigurimin e pranisë dhe angazhimit të vazhdueshëm të OSBE-së në Ukrainë, duke ofruar mbështetje programore në të gjitha tri dimensionet përmes Programit të sapokrijuar të Mbështetjes për Ukrainën, si dhe dërgimin e një Përfaqësuesi Special të Kryesuesit të OSBE-së, për raportim politik“, theksoi Osmani.

Njehërit, Osmani shprehu gatishmërinë që vitin e ardhshëm t'i vë në funksion të gjitha kapacitetet dhe mekanizmat e OSBE-së, me qëllim që t’i ndihmojë popullatës së prekur në Ukrainë në ballafaqimin me sfidat që dalin nga kriza energjetike dhe ushqimore.