Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë

Zoran Zaev

Posta elektronike: info@vlada.gov.mk
Faqja në Facebook: www.facebook.com/zaevzoran
Profili në Twitter: www.twitter.com/Zoran_Zaev
Profili në Instagram: www.instagram.com/zoranzaev

 

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev ka lindur më 8 tetor të vitit 1974 në Strumicë.

 

U rrit në një familje agrare, modeste dhe tradicionale. Qysh si i ri, ai dhe vëllai i tij më i vogël ishin të përfshirë në biznesin familjar të bujqësisë, si burim i vetëm i të ardhurave. Zaev dhe vëllai i tij ishin të edukuar të jenë njerëz të zellshëm të cilët asnjëherë nuk shtyjnë obligimet dhe besojnë se çdo problem ka një zgjidhje.

 

Më vonë gjatë jetë së tij,  njihet me bashkëshorten e tij Zorica Zaeva, me të cilën ka dy fëmijë, Aleksandrën dhe Dushkon.

 

Zoran Zaev ishte në shkollë të mesme kur Maqedonia fitoi pavarësinë e saj në vitin 1991. Tregon afinitet për matematikë dhe ishte i rrethuar nga familjarë që ishin biznesmenë me prosperitet, aktiv dhe të respektuar në sferën socio-politike dhe ekonomike të shoqërisë maqedonase.

 

Në vitin 1997, Zaev diplomoi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” ku edhe vazhdoi studimet pasuniversitare për Ekonomi Monetare dhe Financa.

 

I frymëzuar nga suksesi afarist i dajës së tij, menjëherë filloi të punojë në shoqërinë tregtare “Tërgoprodukt”, dhe për pesë vjet ai arriti duke përparuar deri në pozicionin e menaxherit.

 

Përveç përvojës në biznes, karriera politike e Zoran Zaevit zhvillohej shpejt.

Qysh nga viti 1996 është anëtar i Lidhjes Socialdemokrate  (LSDM), kurse nga viti 2003 deri në vitin 2005 është deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Në vitin 2006 u zgjodh nënkryetar i Bordit Qendror të LSDM-së, kurse në vitin 2008 u bë u.d. Kryetar i Partisë.

Që nga viti 2013, Zoran Zaev është lider i LSDM-së.

Në vitin 2005, Zaev u bë kryetar i qytetit të Strumicës, dhe ishte kryetari më i ri në vend. Me udhëheqësinë e tij, qyteti realizoi rritje ekonomike dhe u bë qyteti me rejting më të mirë kreditor.

Qyteti, dhe Zoran Zaev, si kryetar i tij, në periudhën e mandatit të tij si njeri i parë i komunës, morën shumë çmime dhe mirënjohje.  Dy herë, në vitin 2008 dhe 2009 qyteti fitoi çmimin më të lartë kombëtar në fushën e mjedisit jetësor, ndërkaq Zaev si kryetar komune  mori çmimin “Praktikat më të mira” nga Këshilli i Evropës për partneritetin publiko – privat, i pari i këtij lloji në vend, implementuar në ndërtimin e objektit “Global” në Srumicë.

Pas fitores në zgjedhjet lokale të vitit 2013, filloi mandatin e tretë me radhë si kryetar i këtij qyteti, dhe këtë funksion e ushtroi deri në dhjetor të vitit 2016.

Pas suksesit të dukshëm në zhvillimin e qytetit, me hapjen dhe dispozicionin e tij, Zoran Zaev u bë njëri nga politikanët më të suksesshëm në Maqedoni. Ai ishte  kryetari i vetëm komune i cili punën e tij e kishte të hapur dhe transparente për publikun, nëpërmjet pranisë së tij në televizionin lokal, ku prezantonte punën e komunës, duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve.

Si lider i opozitës politike në vend, Zoran Zaev u bë sinonim i guximit dhe kryesues i luftës për drejtësi, liri dhe demokraci.

Në shkurt të vitit 2015, Zaev filloi projektin “E vërteta për Maqedoninë”, duke publikuar materialin e përgjuar me të cilin u zbuluan aktivitetet kriminale të qeverisë së udhëhequr nga Gruevski. Rezistenca ndaj qeverisë autoritare vazhdoi me rolin aktiv të liderit të LSDM-së në kampin “Liria” i cili ishte organizuar nga lëvizja protestuese “Qytetarët për Maqedoninë” - koalicion joformal i partive politike dhe organizatave qytetare joqeveritare, të cilat bashkërisht u organizuan për kthimin e demokracisë së shoqërisë dhe rivitalizimin e institucioneve publike në shërbim të qytetarëve.

Më 17 maj të vitit 2015, kjo lëvizje organizoi protestën mbipartiake dhe qytetare në Shkup me më shumë se 100.000 qytetarë para godinës së Qeverisë.

Amnistia e paralajmëruar e Presidentit Ivanov për funksionarët e lartë të atëhershëm i nxiti qytetarët e Maqedonisë në lëvizjen masive dhe aktive të quajtur “Revolucioni Laraman”. Lëvizja masive protestuese nëpër të gjithë vendin filloi në vitin 2016 dhe zgjati 100 ditë.

Për shkak të përfshirjes së drejtpërdrejtë në lëvizjet protestuese dhe bashkëpunimit të ngushtë me organizatat qytetare, Zoran Zaev filloi konceptin “një shoqëri për të gjithë”, duke premtuar zhvillimin e vendit në të ardhmen si vend për jetë për të gjithë qytetarët, pa dallim të etnisë, bindjeve politike ose cilitdo përcaktim. Ky koncept uniteti “një shoqëri” ishte fuqia shtytëse për suksesin e LSDM-së në zgjedhjet parlamentare në vitin 2016, si dhe për fitoren bindëse në zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Pas “Marrëveshjes së Przhinës” dhe zgjedhjeve parlamentare në vitin 2016, pasuar me periudhë të vështirë të trazirave politike, përfshirë edhe incidentin në Parlament më 27 prill, më 31 maj 2017, Zoran Zaev u zgjodh Kryeministër i Republikës së Maqedonisë dhe mori mandatin e qytetarëve që të kryesojë Qeverinë e re të orientuar drejt reformave.